Bujqësia - zbutësja e problemeve sociale kërkon menaxhim më solid

S.H. është kryefamiljar i njërës prej familjeve kosovare që si burim kryesor të të ardhurave ka të hyrat nga toka bujqësore. Ai jeton në një fshat në pjesën lindore të Kosovës. Për dallim nga mijëra familje kosovare, që gjatë muajve të shkuar u larguan nga Kosova, S.H. nuk e ka konsideruar aspak një mundësi të tillë. Thekson se për aq kohë sa toka e tij ta bëjë bereqetin e njerëzit të kenë nevojë për gjëra ushqimore e ekologjike, nuk do të ketë kurrë nevojë të marrë njërrugë të tillë.

Megjithëkëtë, siç shprehet ai, vështirësitë për t’u marrë me veprimtari bujqësore në Kosovë janë mjaft të mëdha dhe shpesh çojnë në lodhje të bujqve. Sipas tij, arsyeja e lodhjes është se shteti, “ndonëse po e shton përkrahjen buxhetore për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë etj., rezultatet janë të vogla pasi mungojnë politikat e përshtatshme sociale”. Bujqit e vërtetë ende po vazhdojnë të gjenden si të munden.

Një tjetër pengesë në këtë sferë është fakti se shteti ende nuk ka arritur të krijojë sigurim shëndetësor për bujqit, “edhe pse për ta bërë një gjë të tillë nuk duhet të jetë kaq e vështirë. Bujqit kanë qënë të siguruar nga aspekti shëndetësor në periudhën e sistemit socialist, kurse tani një mundësi e tillë nuk ekziston”, tha ai. Sipas tij, dëshmia e sigurimit shëndetësor është bërë nëpërmjet librezave shëndetësore. Sigurimi shëndetësor, vijoi S.H., do të ishte faktor kyç në nxitjen e banorëve, që jetojnë në zonat fshatare të Kosovës për t’u marrë më seriozisht me bujqësi, si sektori me mundësi më të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit, e që do të ndikonte më së shumti në zbutjen edhe të problemeve sociale.

S.H. merret kryesisht me kultivimin e pemëve dhe të perimeve, të cilat i shpërndan vetë në tregjet e Kosovës, në veçanti në Gjilan dhe Kamenicë. Nga veprimtaria e tij siguron familjen me pesë anëtarë dhe shkollon dy fëmijë.  Mirëpo, pos mungesës së krijimit të sigurimit shëndetësor nga shteti, ky kryefamiljar vëren edhe keqmenaxhimin e mjeteve materiale që ndahen nga buxheti i Kosovës për zhvillimin e bujqësisë. Madje thotë se është i sigurtë që, në shumicën e rasteve, njerëzit që merren me menaxhimin e bujqësisë, duke filluar nga organet qendrore e deri tek ato të nivelit lokal, bëjnë dallavere, duke i keqpërdorur detyrat e tyre.

“E kam përcjellë vazhdimisht informacionin për mjetet që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural (MBZHR), ndan për zhvillimin e bujqësisë, në të gjitha fushat, mirëpo përkundër faktit që gjithmonë i kam plotësuar të gjitha kushtet dhe këtë mund ta vërtetoj edhe me dokumente, në asnjë vit nuk më është dhënë ndonjë mbështetje materiale”, u shpreh ai.

Një gjë të tillë e pohon edhe një bashkëfshatar i tij, F.Xh, i cili edhe pse me profesion është jurist i diplomuar, të vetmin burim të jetesës, sikurse S.H., ka bujqësinë. “Është më se e sigurtë dhe këtë e thonë edhe ekspertët, se faktori kryesor për zbutjen e papunësisë në Kosovë është marrja me bujqësi nga banorët dhe mbështetja nga shteti. Mirëpo për fatin e keq të të gjithëve, sikur është lidhur gjithçka në nyjë”, tha F.Xh., ndërsa shton se as ai nuk është mbështetur me asgjë nga shteti.

Ai përmendi kultivimin e grurit, kulturë për të cilën thotë se shteti e ka mbështetur vazhdimisht. Është thënë se kush i ka mbi një hektar të mbjellë merr mbështetje sa për farë e plehërim, rreth 120 euro për hektar. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. “Kam përshtypjen që me paranë publike që ndan shteti për çdo vit, më tepër se sa bujqit që i mbajnë familjet vetëm me këtë veprimtari, po mbështeten ata që marrjen me bujqësi e kanë vetëm si hobi për t’i shtuar të ardhurat e tyre. Pra, jo për ata që varen vetëm nga ky burim jetese”, thekson F.Xh., duke ju bërë thirrje komisioneve të ndryshme në nivel institucional, që të jenë më të pranishme në terren, sidomos tani kur është koha e të mbjellave të shumicës së bimëve bujqësore dhe kur bëhen llogaritë në këtë sektor.

Nga ana tjetër, duke e marrë parasysh që Qeveria në vitin 2015 ka planifikuar për zhvillimin e bujqësisë rreth 40 milionë euro, sikur të ndodhte një menaxhim më serioz dhe më i kontrolluar, patjetër që në nivel kombëtar do të kishim zbutje të konsiderueshme të problemeve sociale. Aq më tepër kur shtetet perëndimore tashmë do t’i kthejnë mijëra azil-kërkuesit kosovarë, të cilët duke qenë të bindur se nuk do të kenë “atdhe rezervë”, do të përpiqen më fuqishëm të merren me punimin e tokave të tyre.  

Buxheti 2015 për grante dhe pagesa të drejtpërdrejta për bujqësi është rreth 43 milionë euro. Për grante janë planifikuar 20 milionë euro, ndërkaq për pagesa 23 milionë. MBPZHR-ja, në kuadër të masave të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ka premtuar se do të ofrojë mbështetje edhe kultura të reja bujqësore, të cilat nuk janë mbështetur në të kaluarën. 

Sivjet, MBPZHR-ja ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lule dielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele e dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari  prodhimtari të qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve, për agropërpunim përmes investimeve në pajisje, makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, diversifikimin e fermave, prodhimtarinë e mjaltës, prodhimtarinë e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtarinë e patates, prodhimtarinë e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, boronicës, vreshtarisë dhe bimëve mjekuese etj. Gjithashtu, ka premtuar se do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor, në projektet për ujitjen e tokave bujqësore. Dhe duke qenë që bujqësia mbetet sektori kyç i Kosovës ku mund të zbutet papunësia, shteti duhet të jetë më i angazhuar në këtë sferë.

Emine Klaiqi
Prishtinë, mars 2015