Rreth nesh

Rreth nesh

Projekti Përkrahje Partnerëve Social (PPS) është një projekt i financuar nga BE dhe i udhëhequr nga OJQ-ja Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), në partneritet me Friedrich Ebert Stiftung Pristina, Odën Ekonomike të Kosovës, Sindikatën e Pavarur të Energjitikës së Kosovës, Sindikatën e Pavarur të Metalistëve të Kosovës, organizatën spanjolle Fundacio’ Pau i Solidaritat dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.

Ky projekt ka nisur nga nevoja për përmirësimin e cilësisë dhe intensitetit të dialogut social në Kosovë, të nënkuptuar si konsultimi mes organizatave të punëmarrësve, organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë (tre partnerët social), për çështje që kanë lidhje me punën, punësimin dhe mirëqënien e shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Projekti PPS kërkon të adresojë disa faktorë, që ndikojnë në cilësinë e dialogut social në Kosovë, nëpërmjet lehtësimit të procesit dhe rritjes së pjesëmarrjes në politikat zhvillimore të Kosovës.

Në mënyrë specifike, objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të përmirësojë funksionimin e dialogut social, nëpërmjet përmirësimit të parakushtëve për një diskutim kuptimplotë mes partnerëve social.

Për arritjen e këtij objektivi, projekti parasheh një sërë nën-objektivash, si zhvillimin e aftësive dhe njohurive të partnerëve social në monitorimin e zbatimit të legjislacionit dhe zhvillimin e politikave industriale; forcimin e kapaciteteve administrative dhe menaxhuese të partnerëve social; mbështetjen për reformat organizative të partnerëve social; mbështetjen teknike për mirëfunksionimin e Këshillit Ekonomiko-Social (KES).

Ky grup objektivash do të realizohet përmes kryerjes së disa aktiviteteve, që përfshijnë ofrimin e ekspertizës, trajnimeve, këshillimeve, vizitave studimore në vende të tjera me përvojë të mëparshme në reforma të ngjashme, vizitave në terren për monitorimin e zbatimit të Ligjit të Punës dhe atij për Siguri dhe Mbrojtje të Shëndetit në Punë, si dhe mbështetjes së vazhdueshme teknike.

Rezultatet e pritura nga ky projekt janë rritja efektive e kapaciteteve të organizatave të punonjësve, të organizatave të punëdhënësve dhe KES; përmirësimi i rezultateve të dialogut social; lehtësimi i reformës sindikale përmes shkëmbimit të përvojave nga vendet e tjera; përmirësimi i zbatimit të ligjit nëpërmjet monitorimit efikas në terren; informimi i sektorit privat dhe punëtorëve për ligjet në fuqi.

Synimi i projektit është të ndikojë në vendosjen e një ekuilibri mes partnerëve social dhe forcimit të dialogut social në përgjithësi.

Si vlerë e shtuar e projektit PPS, parashikohet të përfshihet edhe çështja e barazisë gjinore si çështje ndërsektoriale.